Internet i Sigurtë për Fëmijët në Shqipëri
11
November
2015

Unicef_ALCIRT

Tiranë, 6 Tetor 1015 – Agjencia Kombëtare për Sigurinë Kompjuterike (ALCIRT), UNICEF, CRCA Shqipëri dhe Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (ASHMDF), zhvilluan takimin e parë konsultues “Internet i Sigurtë për Fëmijët në Shqipëri: Drejt Qasjeve të Integruara Institucionale dhe Shoqërore për Mbrojtjen e Fëmijëve Online”.

Qëllimi i takimit ishte konsultimi i aktorëve pjesëmarrës në lidhje me mekanizmat dhe mjetet e nevojshme për mbrojtjen e fëmijëve nga shfytëzimi dhe abuzimi online, si dhe nxitja e autoritetve përgjegjësë për të krijuar kuadrin e duhur ligjor. Pjesë e diskutimeve në tryezë ishin institucionet shtetërore që kujdesen për fëmijët, Avokati i Popullit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, organizatat e shoqërisë civile dhe kompanitë e telefonisë.

Diskutimet u fokusuan në gjetjen e qasjeve të integruara institucionale dhe shoqërore për mbrojten e fëmijëve nga abuzimi dhe shfrytëzimi online; paraqitjen e problemeve që ndeshin fëmijët në Shqipëri në lidhje me sigurinë në internet; njohjen me planet dhe angazhimet e aktorëve socialë në këtë fushë, si dhe bashkëpunimet përkatëse. Ndër të tjera në takim u prezantua një platformë virtuale për të automatizuar procesin e raportimit të faqeve të internetit me përmbajtje të paligjshme.

Pjesëmarrësit ranë dakort për ngritjen e një mekanizmi  në nivel kombëtar për denoncimin e rasteve të abuzimit, shfrytëzimit online të fëmijëve dhe të gjitha krimeve të tjera kibernetike që prekin interesa  të grupeve të caktuara.  Gjatë diskutimeve u rekoamndua edhe krijimi i një platforme kombëtare të informacionit, e cila do t’i japë akses fëmijëve, prindërve, mesuesve, grupeve të interesuara, etj, për  t’u informuar dhë ndërgjegjësuar mbi sigurinë, rreziqet dhe mënyrat e mbrojtjes nga shfrytëzimi dhe abuzimi  online.

Forcimi i dialogut ndërinstitucional dhe përmirësimi i kuadrit ligjor ishin dy nga rekomandimet më të rëndësishme të takimit. Realizimi i këtyre objektivave do të sjellë zgjerim të mekanizmave të përfshirë në sigurinë online të fëmijëve, përcaktim të qartë të detyrave për secilin aktor si dhe qartësimin e koncepteve.

administrator
  • 310 Views
  • Leave a Comment