Mbrojtja e Pajisjeve

- mbrojtja e paisjeve
Secili nga ne ka lexuar histori të tmerrshme, ku njerëzve u është dashur që t’a riformatojnë ose t’a ndryshojnë tërësisht kompjuterin e tyre, ose kur ata kanë zbuluar që kartat e tyre të kreditit janë përdorur nga dikush tjetër. Kjo ndodh vetëm atëherë kur ne kemi lënë pas dore ndjekjen e detyrave të thjeshta si mbajtjen software-it të antivirusit të update-uar dhe instalimin e mjeteve të tjera të sigurisë. E gjithë kjo, rrit së tepërmi mundësinë që kompjuteri ynë të infektohet nga një virus, apo të dhënat tona personale të kompromentohen. Hapat e mëposhtëm ofrojnë disa veprime të rëndësishme dhe këshilla se si mund t’a mbajmë kompjuterin tonë të “vaksinuar” e në këtë mënyrë të zvogëlojmë rrezikun e të qenit të infektuar.

Instalimi i Anti-Virusit: Përzgjidhni dhe instaloni në kompjuterin tuaj një program për t’ju mbrojtur ndaj programeve keqdashëse, duke e marrë atë nga një kompani e njohur dhe e besueshme, dhe vëreni në funksion sipas rekomandimeve të furnitorit. Nëse programi ka aftësinë të kontrollojë automatikisht për programe keqdashëse, atëherë aktivizojeni. Gjithashtu, nëse programi ofron opsionin e përditësimit automatik, atëherë përdoreni për të mbrojtur kompjuterin tuaj ndaj rasteve më të fundit të programeve keqdashëse. Në të kundërt, ju duhet të përditësoni programin me versionin më të fundit. Disa produkte anti-virus gjithashtu ofrojnë dhe mbështesin funksione kundër programeve-spiun.

Instalimi i sistemit/murit personal mbrojtës (Firewall): Programi i murit mbrojtës (Firewall) është një sistem që kontrollon komunikimin hyrës dhe dalës nga kompjuteri juaj personal, duke lejuar ose ndaluar disa lloje trafiku. Disa versione të sistemit operativ (p.sh. WindowsXP/SP2) ofrojnë një sistem mbrojtës të integruar personal.

Përdorimi i fjalëkalimeve të forta: Fjalëkalimet mund të krijohen duke kombinuar lloje të ndryshme karakteresh (numra, gërma kapitale ose të vogla, karaktere të veçanta). Gjatësia minimale e një fjalëkalimi duhet të jetë 8 karaktere, e cila duhet të ndërrohet shpesh, duke shmangur përdorimin e fjalëkalimeve të mëparshme. Gjithashtu shmangni përdorimin e modeleve specifike ndërsa krijoni një fjalëkalim, si për shembull përfshirja në përmbajtje e informacionit personal (e.g. emri i përdoruesit, ditëlindja apo vendlindja, emri i babait ose i fëmijës), informacionit të kompanisë (p.sh., emri i kompanisë, produktit ose shërbimit) fjalë të një leksiku, p.sh Anglisht, data ose kombinime muaji/viti. Rekomandohet që të përdorni fraza që mbahen mend, si për shembull “Unë shoh futboll çdo të Mërkurë në orën 10pm – 1shFçM @ 10pm”. Në rastin e shkeljes së aksesit në llogarinë tuaj, duhet të ndryshoni menjëherë fjalëkalimin.

Përdorimi i Llogarisë së Administratorit: Gjatë përdorimit të kompjuterit tuaj personal për gjëra rutinë (p.sh. përdorimi i programit word, internetit, përdorimi i email-it, etj.), rekomandohet që të përdorni një llogari të zakonshme përdoruesi. Mundësitë e një sulmi nga një program keqdashës rriten gjatë përdorimit të llogarisë së administratorit dhe ndikimi në sistemin tuaj do të jetë më i madh, pasi programi do të ketë akses të plotë në sistemin tuaj. Gjithashtu, ju duhet të vendosni edhe një fjalëkalim për përdorimin në modalitetin e administratorit.