Malware

2. malware
Përdorimi i shërbimeve me bazë në rrjet (p.sh. navigimi në internet/rrjet, përdorimi i postës elektronike (email), etj.) ka mundësi të dëmtojë kompjuterin tuaj ose aparatin tuaj nga programet keqdashëse.

Termi program kompjuterik keqdashës (malware) i referohet programeve që kanë për synim të shkelin sigurinë e kompjuterave personal për të shkaktuar dëme ose për të vjedhur të dhëna/informacion personal.

Kategoritë bazë të programeve kompjuterike keqdashëse janë:

Virus – Virusi është një copëz kodi kompjuterik, që i bashkangjitet një programi zbatues apo një skedari. Disa viruse mund të shkaktojnë dëme, si p.sh., të dëmtojnë programe, të fshijnë programe, të fshijnë skedarë madje dhe të gjithë përmbajtjen e diskut (hard drive) të magazinimit të të dhënave tuaja.
Worm – Krimbat (Worms) janë nënlloje virusesh. Karakteristika e tyre kryesore është se ata transmetohen pa ndërhyrjen e përdoruesit dhe dërgojnë kopje të vetes, duke shfrytëzuar dobësitë e sistemeve të tjera në rrjet. Ndryshimi kryesor nga viruset është se krimbat nuk bashkangjiten në një skedar tjetër.
Trojan Horse – Këto programe janë të “kamufluara” në lloje të tjera skedarësh (p.sh. foto/pamje) dhe shkaktojnë dëme kur vihen në zbatim/përdorim. Ato aktivizohen kur përdoruesi, për shembull, hap një material të bashkangjitur që është i infektuar ose kur shkarkon ndonjë program kompjuterik nga interneti. Në të shumtën e rasteve, një kalë Trojan krijon në derë të pasme në sistem, që mund të përdoret nga agresori për t’u lidhur me sistemin.
Spyware – Programet spiun (spyware) janë programe që regjistrojnë veprimet e përdoruesit në kompjuter dhe dërgojnë informacionin përmes internetit. Programet spiun grumbullojnë lloje të ndryshme informacioni. Një kategori e këtyre programeve regjistron faqet/sitet e internetit/rrjetit që vizitohen nga përdoruesi dhe pastaj dërgojnë këtë infromacion tek kompanitë e reklamave. Megjithatë, në raste të tjera, objektivi i tyre është të përgjojnë dhe zbulojnë informacion personal të përdoruesit si fjalëkalimet dhe numrat e kartave të kreditit.
Rootkits – Rootkits janë mjete/mënyra programimi që fshehin skedarë dhe të dhëna të sistemit, si dhe procese funksioni, të pazbuluara nga sistemi. Ato përdoren si mënyra dhe mjete për të kaluar sigurinë e sistemit pa u zbuluar.
Ransomware – Programi haraç/shpërblesë është një kategori e programeve keqdashës, i cili enkripton (kodon) të dhënat e përdoruesit pas kërkon “shpërblim/haraç” nga përdoruesi për t’i dekriptuar (çkoduar) këto të dhëna.
Bots – zombies – Ky është një program që infekton kompjuterat duke i bërë ata anëtarë të një rrjeti që kontrollohet në distancë nga një palë e tretë, për të kryer sulme të mohimit të shërbimeve (sulme DOS).
Scareware – Programet frikësuese janë programe që zakonisht shfaqen si dritare/mesazhe paralajmëruese dhe përdoren për të frikësuar përdoruesit e internetit (p.sh., duke i paralajmëruar ata se kompjuteri i tyre është infektuar me një program keqdashës) dhe për t’i mbushur mendjen që të blejnë dhe/ose instalojnë një program kompjuterik specifik që supozohet t’i mbrojë nga sulmet dhe kërcënimet.
Phishing – Një faqe interneti ose një e-mail që mundohet t’ju mashtrojë dhe t’ju bëjë të zbuloni informacion personal, duke pretenduar se janë nga një burim i ligjshëm, si për shembull një bankë apo rrjet social. Mashtruesit, përmes këtyre lidhjeve (linke) false apo të rreme, mundohen të fitojnë akses në të dhënat tuaja personale, si numrat e llogarive bankare ose fjalëkalime. Faqet e internetit mund të falsifikohen lehtësisht, kështu sigurohuni që të kontrolloni përmbajtjen e tyre gjithnjë. Vazhdoni të kontrolloni statusin e sigurisë së faqeve të internetit ku mund t’ju duhet të vendosni informacion personal, p.sh., nëse është i enkriptuar (vini re nëse fraza e adresës fillon me një “https”, që do të thotë se ato ofrojnë një enkriptim SSL).
Dialer – Programet Dialer janë programe kompjuterike që transmetohen përmes internetit dhe instalohen në kompjuter. Ajo që bëjnë programet dialer, pasi instalohen në kompjutera, është që ato ndryshojnë konfigurimet e modemit nga një lidhje e veçantë interneti tek një tjetër.