Viruset

4. virus
Çfarë janë viruset?
Virus është fjalë e përgjithshme për programe keqbërëse që janë të aftë të infektojnë kompjuterat dhe të shpërndahen. Viruse nuk lindin vetvetiu por programohen nga specialistët e kompjuterave për të kryer funksione të ndryshme. Viruset kanë për qëllim dëmtimin e skedarëve, fshirjen e memorjes, përgjimin dhe spiunimin, vjedhjen e informacionit, ngadalësimin e rrjeteve kompjuterike, etj.

Si hyjnë në kompjuter?
Virusët shpërndahen me të gjitha mënyrat që shpërndahen edhe skedarët e tjerë. Ata mund të shkarkohen nga Interneti, mund të jenë bashkëngjitur në email, mund të hyjnë nga kompjuterat e tjerë, nga disketat, CD, etj. Disa viruse pëhapen vetvetiu duke shfrytëzuar dobësi të sistemit operativ (Windows, Linux, Mac, etj), por shumica e tyre merren në kompjuter nga vetë përdoruesi.

Si të mbrohem prej virusëve?
Mbrojtja më e mirë është që t’i parandalosh dhe mos t’u japësh mundësi të infektojë skedarët e kompjuterit. Po arritën të infektojë kompjuterin, ateherë nuk ke garanci se kompjuteri mund të pastrohet plotësisht. Viruset që kanë për qëllim vjedhjen ose spiunimin zakonisht pastrohen pa problem, por viruset që dëmtojnë skedarët e sistemit operativ zakonisht nuk mund të pastrohen dhe të detyrojnë të fshish gjithçka që ke në kompjuter dhe të fillosh nga fillimi. Sistemi operativ nuk është i aftë të mbrojë kundër viruseve, prandaj nevojiten programe antiviruse që janë të aftë të zbulojnë viruset dhe të mbrojnë kundër infektimit.

Si punojnë antivirusët?
Antivirusët kanë një listë të madhe të viruseve të njohur dhe monitorojnë kompjuterin gjatë gjithë kohës për të zbuluar nëse ndonjë prej tyre është futur në kompjuter. Kriminelët e kompjuterave ndërtojnë viruse të rinj çdo ditë, prandaj edhe lista e viruseve duhet përditësuar shpesh. Kompania që ka prodhuar antivirusin studion viruset e rinj dhe publikon përditësimet që mundësojnë zbulimin, mbrojtjen dhe luftimin kundër infeksioneve. Disa antiviruse përditësohen automatikisht, ndërsa disa të tjerë duhet të përditësohen nga përdoruesi i kompjuterit, zakonisht duke shkarkuar dhe instaluar përditësimet nga faqja e kompanisë në Internet. Përveç monitorimit të kompjuterit, antivirus të jep mundësinë të bësh një kontroll (ose scan) të të gjithë skedarëve të kompjuterit. Kontrolli këshillohet të bëhet të paktën njëherë në muaj, sidomos për kompjuterat që shkëmbejnë informacion në Internet, në rrjetet lokale, ose me disketa, CD, etj.

A mjafton antivirusi?
Instalimi i antivirusit është i domosdoshëm dhe ofron mbrojtje kundër viruseve por në botën kompjuterike rreziku nuk vjen vetëm nga viruset. Ka dhe programe të tjera që bëjnë reklama, ndryshojnë konfigurimin e kompjuterit, ngadalësojnë Internetin, hapin dyer të fshehta në kompjuter, përgjojnë informacionin që shkëmbehet, vjedhin fjalëkalimet, etj. Nuk ka asnjë program që të mbrojë kundër gjithë këtyre rreziqeve, prandaj është detyra e përdoruesit të kompjuterit që të tregojë kujdes dhe të mirëmbajë kompjuterin.