Lojrat Online


Me Internetin me shpejtësi të lartë që është thuajse në çdo shtëpi, lojrat online kanë fituar një popullaritet të jashtëzakonshëm duke u bërë aktiviteti kryesor i kohës së lirë për shumë njerëz. Lojtarët virtualë tashmë mund të konkurojnë me miqtë e tyre ndërkohë që flasin me video ose zë me njëri-tjetrin. Por në të njëjtën kohë lojrat online paraqesin një rrezikshmëri të lartë si për kompjuterin ashtu edhe për lojtarin, prandaj është e rëndësishme të kihen parasysh këshillat e mëposhtme.

1.Ruani informacionet tuaja personale
Vjedhja e identitetit është bërë një nga shqetësimet kryesorë të lojtarëve online, por ju mund të ruheni mjaft mirë thjesht duke patur kujdes që të mos jepni asnjë informacion personal gjatë kohës që luani online. Mos përdorni emrin tuaj apo të dhëna të tjera personale për personazhet e lojrave, përdorni imagjinatën jo vetëm për të zgjidhur lojën por edhe për të krijuar profilin tuaj të lojës. Gjithashtu mos përdorni foton tuaj të vërtetë për profilin tuaj, zgjedhja e duhur do të ishte përdorimi i një avatari.

2. Përditësoni programin e lojës tuaj
Lojrat, madje edhe kur ato vijnë nga kompani serioze, shpesh përmbajnë bugs, që janë gabime në kod dhe që zbulohen vetëm pasi loja fillon të përdoret. Në të njëjtën kohë lojrat vazhdimisht sulmohen nga programe keqdashëse që kanë si synim kompjuterin tuaj. Për këtë arsye prodhuesit e lojrave vazhdimisht i rregullojnë këto probleme duke nxjerrë versione të përmirësuara. Prandaj është e rëndësishme që ju gjithmonë të keni versionin më të fundit të lojës tuaj të preferuar.

3.Kujdes me të dhënat e kartës së kreditit
Me siguri ju përdorni kartën tuaj të kreditit për të blerë lojra ose nivele të reja të tyre. Dhe faqet ku ofrohen këto shërbime shpesh të japin mundësinë të ruani të dhënat e kartës tuaj të kreditit për lehtësi në veprimet e ardhshme. Kjo është një praktikë që ju as nuk duhet ta konsideroni. Databazat e kompanive të lojrave online sulmohen vazhdimisht dhe ju nuk do të donit që mes të dhënave të tjera të vjedhura të ishin edhe të dhënat tuaja bankare.

4.Përdorni një fjalëkalim të fortë
Fjalëkalimi është gjithmonë shtresa e parë e mbrojtjes dhe për këtë arsye ai duhet të jetë sa më i vështirë për t’u zbuluar. Mundohuni të përdorni një kombinim gërmash të mëdha dhe të vogla, numrash dhe shenjave që është kombinimi ideal për një fjalëkalim të sigurt.

5.Mos i besoni piratëve
Përdorimi i lojrave të vjedhura (të hackuara) jo vetëm është e ndaluar ligjërisht por shpesh janë një burim i madh për programe të tjera keqdashëse që do të infektojnë lojën dhe kompjuterin.

6.Raportoni problemet e lojrave online
Në qoftë se një lojë e caktuar bëhet shkak që kompjuteri juaj të infektohet apo ju vëreni një keqfunksionim të saj gjëja më e mirë që mund të bëni është ta raportoni këtë problem. Jo vetëm mund të gjeni një zgjidhje për problemin tuaj por edhe kontribuoni për gjithë komunitetin e lojtarëve që mund të jenë viktima si ju në të ardhmen.