Rrjetet Sociale

- rrjetet sociale
Rrjetet sociale janë bërë një nga format më të përdorura për njerëzit për të komunikuar me familjen, miqtë dhe kolegët që ndodhen në dhomën tjetër apo në anën tjetër të botës. Përveç të gjithë përfitimeve që kjo ka sjellë ekziston edhe një risk shumë i madh për sigurinë dhe privatësinë. Sasia e jashtëzakonshme e të dhënave dhe informacioneve personale në rrjetet sociale ka tërhequr vëmendjen e shumë keqbërësve të cilët synojnë ta përdorin këtë informacion për qëllimet e tyre të jashtëligjshme.
Problemet e sigurisë dhe privatësisë të lidhura me rrjetet sociale janë në rradhë të parë çështje të sjelljes dhe jo teknologjike. Sa më shumë informacione private një person poston aq më të mëdha janë mundësitë që këto informacione të bien në duar jo të autorizuara. Personat që postojnë një sasi të madhe të informacioneve personale dhe konfidenciale për veten e tyre ose për të tjerë automatikisht e vendosin veten e tyre dhe të tjerët në një risk shumë të madh.

Çfarë duhet bërë:

• Sigurohuni që secila paisje që ju përdorni për t’u lidhur me rrjetet sociale ka programet bazë për sigurinë (antivirus, firewall, etj.) dhe sistemi i tyre i operimit është versioni më i fundit.
• Bëni kujdes sa herë klikoni ose hapni faqe ose programe që i shihni apo ju vijnë në rrjetet sociale. Shpesh ato përdoren për të mbledhur të dhënat tuaja personale ose për të shpërndare malware.
• Përdorni një fjalëkalim të fortë dhe unik për secilën llogari që keni në rrjetet sociale, përdorimi i një fjalëkalimi të vetëm do sillte humbjen e të gjitha llogarive edhe kur vetëm njëra prej tyre është sulmuar.
• Bëni kujdes me njerëzit që pranoni si miq apo grupet/faqet që i bashkoheni. Sa më i madh të jetë rrethi juaj virtual aq më të mëdha edhe rreziqet.
• Mos kini pretendime për privatësi në rrjetet sociale. Të dhënat tuaja konfidenciale personale apo të biznesit nuk duhet të shpërndahen. Ju duhet të postoni vetëm informacione që nuk do e kishit problem t’i ndanit qoftë edhe me një të panjohur.
• Jini diskret në gjërat që postoni apo komentoni. Në momentin që një informacion postohet online, edhe në qoftë se ju e fshini ai është i aksesushëm nga shumë njerëz. Mos harroni që çdo e dhënë që bën pjesë në një komunikim me faqet qeveritare cilësohet si e dhënë publike dhe ruhet.
• Rregulloni opsionet e privatësisë në mënyrë që vetëm njerëzit që ju besoni të kenë akses në informacionet që ju postoni. Gjithashtu kontrolloni informacionet që të tjerët postojnë në faqen tuaj.
• Kontrolloni politikat e privatësisë të rrjeteve sociale. Disa prej tyre ndajnë informacionet personale si adresa juaj e email-it me palë të treta. Nëse politikat e privatësisë së një faqeje janë të paqarta apo nuk e mbrojnë informacionin tuaj, mos e përdorni atë faqe.